Trajneri i kombëtares së Brazilit, Luiz Felipe Skolari, ka sulmuar ashpër FIFA-n, duke e cilësuar përgjegjëse të situatës së krijuar ku tashmë tifozët brazilianë vërshëllejnë ekipin pasi nuk lejohen të marrin pjesë në stërvitje, siç ka ndodhur zakonisht.
Pas stërvitjes së fundit të përfaqësueses, turma që rrethonte stadiumin, nuk u lejua të hynte në impiant dhe kur skuadra doli me autobus, shumë prej tyre vërshëllyen dhe filluan të lëshonin thirrjet “Italia, Italia”. Kjo situatë bëri që Skolari të shfaqej para mediave dhe të tregonte këndvështrimin e tij rreth çështjes në fjalë.
“Dua të sqaroj situatën rreth ekipit kombëtar, në mënyrë që të mos dëmtohemi më nga çështje të tilla. Ne u kritikuam nga FIFA pasi kemi organizuar stërvitje të hapur për të gjithë në Fortaleza. Por tani nuk bëjmë më stërvitje të hapura për publikun pasi nuk na lejohet. Nuk e vendosim ne, as unë. Nuk është mirë që kombëtarja të shoqërohet nga kontestimet siç ndodhi tani. Kur FIFA të na lejojë, ne do të hapim përsëri stërvitjet për publikun”, deklaroi Skolari.
Trajneri i Brazilit edhe më parë kishte kritikuar situatën ku tashmë skuadrat praktikisht ishin të izoluara në hotelet e tyre para ndeshjeve.
“Është e tmerrshme që kombëtarja të zhvillojë vetëm stërvitje të mbyllura dhe e tmerrshme që nuk lejohet të dalim jashtë hotelit. Lojtarët janë si të arrestuar, nuk lejohet as të zbresin deri në plazh. Kjo situatë është më e vështirë se zakonisht”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 June 2013 09:23