Ronaldinjo dhe Pato janë kthyer në kombëtaren e Brazilit pasi kanë marrë ftesën nga trajneri Skolari, i cili i ka planifikuar ata për ndeshjen miqësore që do të luhet këtë të shtune ndaj Bolivisë, për të siguruar të ardhura për familjen e një tifozi që vdiq pasi u godit nga një fishekzjarr gjatë ndeshjeve të Kupës Libertadores të muajit të kaluar.
Trajneri i përfaqësueses përfshiu në këtë kombëtare Neimar, por edhe shumë të rinj që nuk kanë qenë më parë në ekip për këtë ndeshje që do të zhvillohet në Bolivi. Ronaldinjo ishte i ftuar për miqësoren me Anglinë, në atë që ishte ndeshja e parë e Skolarit pas kthimit në postin e trajnerit, por më pas humbi vendin e tij, pasi tekniku preferoi të grumbullonte Kaka në takimet pasardhëse. Ndërsa për Paton ky është grumbullimi i parë me trajnerin e ri, ndërsa për herë të fundit luajti me kombëtaren në gushtin e një viti më parë në miqësoren kundër Suedisë.
Ndeshja do të zhvillohet në kujtim të adoleshentit Kevin Espada, i cili mbeti i vrarë nga një fishekzjarr i hedhur nga tifozët e Korinthians, kur këta të fundit vizituan Bolivinë gjatë ndeshjes së Kupës Libertadores kundër San Hose. 12 tifozë janë burgosur për këtë incident nga policia në Bolivi dhe pritet të dalin para gjyqit të akuzuar për vrasje me paramendim. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 03 April 2013 13:17