Trajneri i Brazilit, Luiz Felipe Skolari, mendon se Neimar është më mirë te Santos sesa te Barcelona, ku nuk ka të sigurt një vend në formacionin titullar. Futbollisti përflitet se mund të transferohet në Evropë, ku ka tërhequr interesimin e klubeve më të mëdha, sidomos të Barcelonës dhe Bajern Mynih.
Por Skolari shpreson që ai të vazhdojë të qëndrojë në Brazil me Santos, në të mirë të vetë futbollistit dhe të ekipit kombëtar para Botërorit 2014.
“Neimar duhej të kishte shkuar te Barcelona dy vite më parë, por tani është më mirë nëse ai qëndron te Santos. Si do të përshtatej ai? A do të ishte i vetëm atje? A do të ishte titullar? A do të luante në këtë skuadër të mbushur me yje të Barcelona? Për Botërorin 2014 dhe për të mirën e Brazilit, është më e përshtatshme për ne që të mos shkojë që tani te Barcelona”, deklaroi Skolari para gazetarëve.
Sipas spekulimeve në mediat spanjolle, lojtari brazilian ka një parakontratë me Barcelonën për transferimin që gjatë kësaj vere, ndërsa pak ditë më parë beri të ditur se transferimi në Evropë mund të bëhej realitet nëse ai do të mendonte se ishte lëvizja e duhur për karrierën e tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 07 March 2013 09:16