Skënderbeu ka hedhur një hap drejt kualifikimit në turin e tretë paraeliminator të Ligës së Kampioneve duke fituar 1-0 në shtëpi në takimin e parë përballë hungarezëve të Debreçenit. Kampionët e Shqipërisë nuk kanë zhgënjyer pritshmërinë përballë 10 mijë tifozëve të pranishëm në stadiumin e qytetit të Korçës, duke treguar se këtë vit mund të bëjnë realitet një ëndërr shumë të bukur.
Që nga minuta e parë, në fushën e lojës është parë një dominim i ekipit korçar që ka krijuar më shumë volum loje dhe raste me anë të dyshes sulmuese Plaku-Xhafaj, të mbështetur më së miri nga Vucaj dhe Muzaka nga krahët, që krijojnë panik me depërtimet e tyre në mbrojtjen kundërshtare.
Por pasaktësia në konkretizimin e aksioneve bën që Skënderbeu të shpërdorojë shumë duke humbur disa mundësi mjaft të mira për të shënuar një gol, për të cilin duhet pritur deri në minutën e 65-të. Xhafaj gjuan drejt portës dhe aty është Plaku që përfiton duke devijuar topin në rrjetë para ndërhyrjes së portierit kundërshtar, duke entuziazmuar të pranishmit në stadium.
Hungarezët duket se nuk kanë forcë për të rrezikuar seriozisht portën korçare, ndërsa janë vendasit që krijojnë përsëri raste të rrezikshme, por pa arritur të dërgojnë topin në rrjetë. 90 minutat mbyllen me fitoren historike 1-0, por tashmë Skënderbeu do të ketë një detyrë shumë më të vështirë në ndeshjen e kthimit që luhet në fushën e ekipit kundërshtar, ku me siguri miqtë nuk do të rrinë në mbrojtje por do të kërkojnë me ngulm kualifikimin. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 July 2012 22:00