Interes rekord për Skënderbeun. Sfida përballë Dinamo Zagreb në fazën play-off të Champions League ka tërhequr vëmendje jo vetëm të tifozëve në Korçë, por në mbarë vendin.
Dhe arritja historike për një skuadër shqiptare deri në këtë fazë, nuk kishte si të linte indiferentë të apasionuarit e futbollit. Këtë e konfirmojnë shifrat zyrtare të kampionëve të Shqipërisë.
Vetëm në 24 orët e para, klubi njoftoi se janë shitur rreth 7 mijë bileta. Afërmendsh, fluksi më i lart ka qenë në qytetin e Korçës, ku të gjitha biletat e hedhura në treg përfunduan në duart e tifozëve. Sipas zyrtarëve të Skënderbeut, janë shitur të gjitha vendet në tribunat D, E dhe F, të cilat përbëjnë edhe të ashtuquajturën tribunën karshi, transmeton supersport.
Duke përfituar edhe nga çmimet e lira, vetëm disa qindra bileta janë ende në dispozicion në dy tribunat prapa portave. Për të bërë të mundur prezencën e sa më shumë tifozëve, dhe jo vetëm të pesë herë kampionëve radhazi, klubi korçar ka hapur pika shitjesh edhe në Tiranë dhe Elbasan, aty ku do të luhet ndeshja. Rritmet rekord të shitjes së biletave pritet të thyejnë primatin e sfidës së raundit të tretë kualifikues me Milsamin, ku të pranishëm ishin rreth 8500 tifozëve.
Për sfidën e së mërkurës, në mbështetje të Skënderbeut është përllogaritur të jenë 12 mijë tifozë, duke bërë që “Elbasan Arena” të jetë i mbushur me kapacitet të plotë.
Monday, 17 August 2015 14:07