Zhoze Murinjo ka qenë protagonist i një incidenti aspak të këndshëm pasi ka sulmuar një çift tifozësh spanjollë vetëm se i kanë thënë “Forca Barça” duke kaluar pranë tij në avionin e linjës Majemi-Lisbonë.
Dy tifozët katalanas që ktheheshin nga muaji i mjaltit, kanë treguar gjithçka për gazetën “Mundo Deportivo”, duke pranuar se në momentin kur kanë hipur në avion, kanë kaluar në korridorin e klasit biznes, ku gjendej trajneri i Realit me familjen e tij dhe pasi e kanë kaluar, kanë thënë me zë të lartë “Forca Barça”. Por Ana R., që ka dashur të ruajë anonimitetin, ka treguar se “ajo që nisi si një shaka, përfundoi në një ngjarje të shëmtuar”.
Kur kanë dalë nga avioni në Lisbonë, ata kanë gjetur te dera Murinjon dhe gjithë personat me të cilët ai udhëtonte që po i pritnin. E para filloi gruaja e trajnerit, e cila kërkoi që të respektohej ai pasi po udhëtonte me familjen. “I thashë që fraza ishte vetëm ‘Forca Barça’ e të mos i jepte kaq rëndësi, por ajo më tha se ishte faji im. Iu përgjigja se në Spanjë nuk e ka kurrë fajin Murinjo, e kanë gjithmonë të tjerët”, tregon Ana R.
Sipas saj, nga ai moment i është vërsulur vetë Murinjo që nuk ka kursyer fyerjet ndaj saj në publik. “Më ulëriti buçe, dosë e shumë gjëra të tjera duke më qëndruar pranë fytyrës me gjeste provokuese. Më kërcënoi duke më thënë se po të isha burrë do të më kishte goditur dhe do të më kishte vrarë në vend”.
Sipas saj, trajneri portugez në atë moment ka reaguar ashpër edhe ndaj gruas së tij që u mundua të qetësonte situatën që kishte degjeneruar në një sherr banal. “Qepe gojën se përndryshe të godita edhe ty”, mësohet të kenë qenë fjalët e trajnerit.
Sipas çiftit spanjoll, shoqëruesit e Murinjos e kanë tërhequr me forcë këtë të fundit nga krahët, ndërsa ai vazhdonte t’i fyente, ndërsa kjo shfaqje e turpshme ka çuditur edhe personat e tjerë në aeroport. “Një çift gjerman na tha se po ta dinin se do të reagonte kështu, do i kishin thënë “Forca Bajern”, edhe ata”, tregoi Ana R., e cila ka ruajtur anonimitetin duke patur frikë nga forca mediatike që ka trajneri i Realit.
“Bashkë me bashkëshortin tim mendonim se sjellja e Murinjos ishte thjesht një rol në televizion, por ai qenka i tillë edhe në jetën reale. Nuk duam asgjë, as të na kërkojë falje, duam thjesht që njerëzit ta mësojnë këtë histori. E dini cila ishte gjëja më e keqe? Gjithçka u zhvillua para syve të fëmijëve të tij!”, ka treguar ajo. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 July 2012 11:03