Mançester Siti ka bërë lëvizjen e parë, duke ofruar 15 milion paund për blerjen e talentit të ri të Kristal Palas, Uilfrid Zaha.
Kampionët në fuqi të Anglisë ofrojnë 12 milion paund që në janar, ndërsa 3 milion paund të tjera do të jepen në bazë të objektivave të arritura në katër vitet e ardhshme pas transferimit të lojtarit që debutoi me kombëtaren angleze dy javë më parë. Për më tepër, ata i ofrojnë skuadrës së Kristal Palas që ta mbajë në huazim futbollistin deri në fund të këtij sezoni.
Arsenali, Totenhemi dhe Liverpouli janë gjithashtu në garë për të siguruar shërbimet e mesfushorit 20 vjeçar, i cili vlerësohet si një nga talentet më premtues të kampionatit anglez të futbollit.
Kristal Palas ka bërë të ditur se nuk ngutet për të shitur lojtarin, pasi për momentin nuk kanë vështirësi ekonomike dhe janë në garë për t’u ngjitur në elitën e kampionatit anglez në sezonin e ardhshëm. Kjo është arsyeja pse ata kanë vënë çmimin prej 20 milion paund për futbollistin, duke kërkuar që për momentin të largojnë çdo blerës të mundshëm.
Por propozimi i Mançester Sitit duket mjaft interesant, pasi kështu lojtari mund t’i ndihmojë të mbyllin me sukses këtë sezon, duke u përqendruar vetëm te klubi, pasi që në janar e ardhmja e tij do të jetë e sigurt. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 November 2012 10:40