Mançester Siti nuk do të marrë pjesë as në Europa League në këtë sezon, pasi është renditur e fundit në Grupin D të Ligës së Kampioneve, atë që u quajt “grupi i vdekjes”. Goditjen përfundimtare skuadrës së Mançinit ia dha Borusia Dortmund që mposhti kampionët e Anglisë me rezultati 1-0, duke i dënuar me vendin e fundit në grup.
Eliminimi matematikor i Mançester Sitit nga Liga e Kampioneve ishte siguruar që në takimet e pesta, por ekipi anglez shpresonte që të paktën të vazhdonte në Europa League, për të synuar një tjetër trofe përveç kampionatit. Por Borusia, edhe pse e kualifikuar, ka vendosur të mos falë asgjë dhe ka goditur kur i është dhënë mundësia me anë të Shiber që ka kaluar Hart.
Gjithçka ka qenë shumë më e thjeshtë për Real Madrid në përballjen kundër Ajaks, pasi skuadra e Murinjos ka fituar me rezultatin 4-1 pa vënë asnjëherë në diskutim fitoren. Kristiano Ronaldo, dy gola të Kajehon dhe Kaka me shiritin e kapitenit në krah, kanë vulosur këtë mbrëmje që ka bërë të harrohen për pak çaste problemet e ditëve të fundit dhe zërat për largine Murinjos.
Gjithsesi, madrilenët tashmë duhet të mendohen mirë pasi janë të dytët në grupin e tyre dhe teorikisht kanë një short më të vështirë në letër. Ndërsa Ajaksi i gëzohet pjesëmarrjes në turin tjetër të Europa League. (LajmeShqip.com)
GRUPI D
Borusia Dortmund-Mançester Siti 1-0
57’ Shiber
Real Madrid-Ajaks 4-1
13’ Ronaldo, 28’, 88’ Kajehon, 49’ Kaka / 59’ Boerrigter
Renditja: Borusia Dortmund 14 pikë, Real Madrid 11, Ajaks 4, Mançester Siti 3.
Tuesday, 04 December 2012 23:23