Administratori i Mançester Sitit ka kritikuar Milanin mbi mënyrën si po mundohet të nënshkruajë me Karlos Tevez, i cili deri tani ka humbur rreth 9 milionë paund nga protesta e tij ndaj klubit anglez.
Khaldon Al Mubarak ishte i prerë në deklaratën e tij, duke sqaruar se Milan kishte “një besim të pabazuar“ mbi ecurinë e negociatave dhe tha se Mançester Siti nuk do ta kishte problem të vazhdonte të mbante lojtarin për 2 vite e gjysmë të mbetura në kontratën e tij.
Sipas burimeve brenda klubit, Tevez është gjobitur deri tani me 1.2 milionë paund për largimin pa leje drejt Argjentinës. Kësaj shume i shtohen 1.7 milionë paund rrogë që nuk i takojnë për shkak se nuk ka qenë në klub gjatë dy muajve të fundit.
Njëkohësisht, ai nuk përfiton 6 milionë paund të tjera, një bonus që do të merrte për “besnikëri” nëse nuk do të kishte kërkuar transferimin. Gjithashtu, lojtari ka marrë edhe një gjobë të rëndë të padeklaruar pasi refuzoi të bënte nxemje në ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër Bajernit të Mynihut.
“Karlos mbetet një futbollist me detyrime kontraktuale ndaj Mançester Sitit për 2 vitet e gjysmë të ardhshme. Nëse ne nuk marrim një ofertë që e quajmë të përshtatshme, do të vazhdojmë të respektojmë kushtet e kësaj kontrate”.
“Siç po shkojnë gjërat, Milani nuk është një opsion për Karlos Tevez. Nëse duan që ne t’i marrim në konsideratë gjatë merkatos së janarit, drejtuesit e Milanit do të bënin mirë të mos përgëzonin njëri-tjetrin por të gjenin një mënyrë për të përmbushur kërkesat tona”, ishte deklarata e Al Mubarak i cili rrallëherë shfaqet në publik për të folur për futboll. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 January 2012 08:40