Mançester Siti kërkoi ndihmën e policisë për të detyruar një tifoz që të kthejë topin e përdorur në fitoren e tyre dramatike kundër QPR në javën fundit, që i dha titullin kampion kësaj skuadre.
Pritja 44 vjeçare e Sitit përfundoi kur golat në kohën shtesë të Xheko dhe Aguero i dhanë trofeun skuadrës së Mançinit falë fitores 3-2.
Qindra tifozë të Sitit pushtuan fushën e lojës për të festuar këtë fitore shumë të veçantë pasi arritën të mundnin Mançester Junajtid vetëm falë diferencës së golave.
Gjatë kaosit, një tifoz i ri arriti të merrte topin e ndeshjes por shpresat e tij për të mbajtur këtë suvenir të rrallë mbaruan pasi drejtuesit e klubit kërkuan që ta merrnin atë përsëri.
Pas vëzhgimit të pamjeve filmike të kamerave të stadiumit, u identifikua një 17 vjeçar i cili u pa ndërsa merrte topin. Klubi vendosi që kjo çështje i përkiste policisë së qytetit të Mançester, e cila arrestoi adoleshentin nën akuzën e vjedhjes.
Por pak orë pas arrestimit të tij, ai u lirua, pasi Mançester Siti vendosi që të mos ngrinte akuza kundër tij dhe organizoi një takim me djaloshin, ku i kërkoi që të kthente topin e rrëmbyer. Ky version u konfirmua nga policia.
“Jemi kontaktuar nga stafi i Mançester Sitit që na raportoi për vjedhjen e një topi futbolli. Në bazë të informacioneve të mbledhura, arrestuam një 17 vjeçar por e lëshuam pas pak kohe. U vendos që djali të dërgohej në stadiumin “Etihad” ku u takua me drejtuesit e skuadrës dhe kjo çështje u zgjidh”, shkruhet në deklaratën e policisë së Mançesterit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 May 2012 09:17