Mediat angleze dhe ato italiane kanë konfirmuar se Mançester Siti ka filluar kontaktet me Edison Kavanin, për të bindur këtë të fundit të transferohet në Angli.
Uruguaiani cilësohet i pashitshëm nga presidenti i Napolit, De Laurentis, i cili mendon të shesë vetëm argjentinasin Ezekuiel Laveci. Por skuadra që lufton për titull në Angli, duket se nuk dorëzohet, ndonëse Roberto Mançini është shprehur shpesh kundër pagesës së 40 milionë eurove për të siguruar sulmuesin.
Megjithatë, mediat angleze janë të sigurta se ka patur një kontakt si me lojtarin, ashtu edhe me Napolin, ndërsa është bërë gati një ofertë e parefuzueshme për klubin italian. Të dërguarit e sheikut Mansur ofrojnë 35 milionë euro dhe kartonin e plotë të Emanuel Adebajor.
Meqë ky i fundit ka një rrogë shumë të lartë, të papërballueshme nga ekipi italian, Napoli do ta nxjerrë menjëherë në shitje dhe mund t’i mbajë të gjitha paratë që përfiton nga shitja e tij. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 May 2012 15:10