Ndeshjet e fundit të javës së 23-të të Serisë A kanë sjellë një rezultat të papritur, humbjen e Romës 1-0 përballë Sienës. Kryeqytetasit vinin nga disa paraqitje të mira dhe dukeshin si një skuadër e motivuar për të luftuar për vendin e tretë në renditje. Por ekipi i drejtuar nga Luis Enrike nuk ka ditur të shfrytëzojë mundësinë që i është dhënë nga ndalesa e rivalëve direkt duke u mundur në këtë sfidë dhe duke lënë pikë të rëndësishme për klasifikimin ku mban vendin e 6-të.
Goli i vetëm i ndeshjes është shënuar me 11-metërsh nga Kalaio, i 10-ti në këtë edicion për sulmuesin e Sienës që ka thyer rekordin personal në kampionatin elitar italian. Me këtë fitore, skuadra ku bën pjesë edhe Erjon Bogdani, është shkëputur 5 pikë nga Leçe e vendit të 18-të, duke u larguar nga zona e ftohtë renditjes.
Ndërkohë, në sfidën tjetër të të hënës, Napoli ka mundur 2-0 Kievon duke gjetur suksesin pas 5 ndeshjesh radhazi pa fitore. Goli i avantazhit është shënuar nga Britos, ndërsa rezultati është vulosur nga 11-metërshi i Kavanit. Me këtë fitore, napolitanët janë ngjitur në vendin e 7-të në renditjen e kampionatit.
Të mërkurën do të luhen dy sfida të prapambetura, të cilat u shtynë në javët e mëparshme për shkak të dëborës, Atalanta-Xhenoa dhe Parma-Juventus. (LajmeShqip.com)
Renditja
Milan 47, Juventus 45, Lacio 42, Udineze 41, Inter 36, Roma 35, Napoli 34, Palermo 31, Xhenoa 30, Kaljari 30, Fiorentina 28, Kievo 27, Parma 27, Katania 27, Atalanta 24, Siena 23, Bolonja 22, Leçe 18, Çezena 16, Novara 16.
Monday, 13 February 2012 23:36