Mesfushori i Bajern Mynih, Bastian Shvajnshtajger ka deklaruar se do t’i pëlqente shumë të punonte nën drejtimin e trajnerit të Real Madrid, Zhoze Murinjo.
Futbollisti i përfaqësueses gjermane beson e trajneri portugez është një garanci për suksesin dhe shpreson që bavarezët të tentojnë të afrojnë Murinjon nëse ndonjëherë do të kërkojnë trajner të ri.
“Më duhet ta pranoj se e shoh Murinjon si një trajner të shkëlqyer. Fatkeqësisht, ai nuk flet gjermanisht. Sido qoftë, unë besoj se Murinjo është një trajner i cili do të ishte shumë i suksesshëm me Bajernin”, tha Shvajnshtajger për “Bild”.
“Do të më pëlqente shumë nëse Bajerni do të kërkonte Murinjon, nëse ndonjëherë në të ardhmen ne do të kërkojmë një trajner të ri”, tha ai.
Murinjo konfirmoi javën e kaluar se nuk do të largohej nga kampionati spanjoll dhe nuk kishte ambicie të provonte apo fitonte kampionate të tjera që nuk i kishte fituar ende në karrierën e tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 10 May 2012 17:09