Mesfushori i Bajern Mynih, Bastian Shvajshtajger, është i bindur se skuadra e tij do t’i japë fund në këtë sezon një pritje dyvjeçare për fitoren e trofeve. Bavarezët duken në formë të shkëlqyer dhe kanë dominuar kampionatin gjerman, për të mbyllur fazën e parë me 9 pikë diferencë ndaj ndjekësve më të afërt të Bajer Leverkusen.
“Ka ende shumë kohë deri në periudhën kur fillojnë të dorëzohen trofetë. Çdo lojtar në skuadër duhet të shtojë një marsh më shumë në krahasim me pjesën e parë të sezonit, të punojë më i përqendruar. Nëse e bëjmë një gjë të tillë, këtë sezon mund ta mbyllim me trofe”.
Mesfushori gjerman është i bindur se lufta për titull nuk do të jetë e lehtë, pavarësisht distancës së madhe të krijuar nga Bajer Leverkusen, por sidomos nga kampionët në fuqi të Borusia Dortmund.
“Ashtu si ne, edhe Borusia ka lojtarë të mëdhenj në përbërjen e saj. Por nuk duhet të nënvlerësojmë Leverkusenin. Ata bëjnë një lojë më mbrojtëse në këtë sezon, duke preferuar që të kundërsulmojnë duke përdorur krahët. Kjo i bën shumë, shumë të mirë. Megjithatë, vazhdoj të mendoj se fitorja e titullit është krejtësisht në dorën tonë. Duhet të fajësojmë vetëm veten që nuk ia dolëm mbanë një vit më parë. Edhe një herë, gjërat janë kthyer në dorën tonë”, u shpreh mesfushori që i ka thurur elozhe shokëve të repartit, sidomos atyre që nuk kanë luajtur si titullarë por janë shfaqur të gatshëm sa herë që është kërkuar prania e tyre në fushë.
“Havi Martinez është përshtatur shumë mirë. Por mos harroni Luiz Gustavon dhe Anatoli Timoshçuk. Të dy kanë dhënë paraqitje të jashtëzakonshme sa herë që kanë luajtur. Trajneri ka alternativa të shkëlqyera në këtë repart dhe kjo është shumë e rëndësishme për skuadrën”, deklaroi Shvajnshtajger. (LajmeShqip.com)
Saturday, 05 January 2013 09:31