Mesfushori i Bajern Mynih, Bastian Shvajnshtajger, ka kërkuar publikisht falje të hënën se nuk i ka shtrënguar dorën presidentit të Gjermanisë, Joakim Gauk, pas përfundimit të finales së Ligës së Kampioneve të humbur me penallti përballë Çelsit.
Një foto e Shvajnshtajger që shihte medaljen e argjendtë në duar, ndërsa ecte para Gauk duke e injoruar këtë të fundit që i kishte zgjatur dorën, qarkulloi në faqet e para të thuajse çdo gazete gjermane gjatë të hënës.
Mesfushori ishte ai që humbi penalltinë vendimtare dhe i dhuroi suksesin ekipit kundërshtar pas një ndeshje dramatike.
“Ky është thjesht një keqkuptim”, ishin fjalët e lojtarit në një deklaratë për shtyp të publikuar në faqen e klubit. “Nëse e vini veten vetëm pak në situatën time dhe nëse e shihni mirë fotografinë, e dalloni që unë jam tërësisht në botën time pas një zhgënjimi të tillë”.
“Unë isha i tronditur, i zhgënjyer, si i paralizuar. Thjesht nuk e pashë dorën e presidentit. Me vjen keq që kam dhënë një përshtypje tjetër në atë kohë. Unë dua t’i kërkoj falje presidentit për këtë ngjarje”, ishin fjalët e mesfushorit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 22 May 2012 13:20