Bastian Shvajnshtajger është kthyer rregullisht në stërvitje me pjesën tjetër të kombëtares gjermane gjatë seancës të së hënës që u zhvillua e hapur për publikun. Skuadra e Joakim Lëv mbërriti në Poloni në orët e drekës dhe iu desh të priste vetëm 3 orë para stërvitjes së parë në tokën polake, në stadiumin “Lekia Gdansk”.
Mesfushori i Bajern Mynih iu bashkua ekipit vetëm një javë më parë, pasi kishte marrë pjesë në finalen e Ligës së Kampioneve dhe i duheshin pak ditë pushim. Ai nuk mori pjesë në ndeshjet përgatitore kundër Zvicrës dhe Izraelit, pasi kishte pësuar një dëmtim në kofshë. Por tani duket se ai është gati të kthehet pjesë e skuadrës, lajm që është konfirmuar nga stafi mjekësor dhe menaxheri i ekipit, Olivier Bierhof.
“Departamenti mjekësor na ka dhënë dritën e gjelbër dhe ai mund të stërvitet përsëri rregullisht me ne”, tha Bierhof, i cili falënderoi mikpritjen polake për skuadrën, ndonëse kombëtarja gjermane do të luajë të gjitha ndeshjet në grup në Ukrainë.
“Jemi pritur në mënyrë të shkëlqyer dhe kushtet janë fantastike. Po presim me padurim që të kalojmë një kohë të kënaqshme në Poloni dhe tani duam t’i themi të gjithëve faleminderit për mikpritjen”, ishin fjalët e Bierhof rreth sistemimit të ri të kombëtares gjermane në Gdansk. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 05 June 2012 10:01