Çelsi është shumë më pranë firmës me Andre Shurle, pasi sulmuesi i Bajer Leverkusen pranoi se kishte diskutuar rreth këtij transferimi me Zhoze Murinjon. Të dy janë takuar në një ndeshje bamirësie të organizuar për lamtumirën e Mikael Balak në Laipcig të Gjermanisë, ku trajneri portugez ulej në pankinën e “Yjeve të Botës” që viheshin përballë “Miqve të Balak”.
“Po, biseduam bashkë. Ai edhe sot ishte trajneri im, në këtë ndeshje lamtumire për Balak. Por të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, deklaroi sulmuesi gjerman pas përfundimit të këtij takimi.
Futbollisti 22 vjeçar u transferua nga Mainz te Leverkusen në vitin 2011 dhe që atëherë ka shënuar 23 gola në 83 ndeshje, ndërsa ka shtuar bilancin e tij duke shënuar 7 gola të tjerë në 24 takime me përfaqësuesen gjermane të futbollit.
Dy objektivë të tjerë të Çelsit të Murinjos janë holandezi Van Ginkel i Vitese dhe italiani De Rosi i Romës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 06 June 2013 08:30