Andre Shurle ka kritikuar Bajer Leverkusen për mënyrën se si ka bllokuar transferimin e tij te skuadra e Çelsit. Sipas konfirmimit që ka ardhur nga vetë drejtuesit e klubit gjerman, londinezët kishin bërë një ofertë prej 25 milionë eurosh për lojtarin në fjalë.
21 vjeçari ka bërë të qartë se është i ndërgjegjshëm për dëshirën e klubit që ta mbante në gjirin e tij, por nuk i ka pëlqyer që gjithçka është bërë kaq publikisht.
“Interesimi i Çelsit ishte shumë konkret. Ky do të kishte qenë një opsion shumë interesant për mua”, tha sulmuesi për “Kicker”. “Megjithatë, e kuptoj dëshirën e Leverkusen për të mos më lënë të largohem”.
“Gjithsesi, ka patur disa gjëra që më kanë shqetësuar. Nuk më pëlqeu sidomos fakti që gjithçka u bë publike në çdo detaj të mundshëm. Nuk e kuptoj pse klubi publikoi gjithçka, pasi kjo nuk është se ndihmoi ndokënd. Do të kisha dashur më shumë mbrojtje nga Leverkusen”, tha lojtari që ka kontratë me këtë klub deri në vitin 2016. (LajmeShqip.com)
Monday, 23 July 2012 13:48