Kombëtarja shqiptare e futbollit ka humbur përsëri terren në renditjen botërore të publikuar nga FIFA. Sipas përllogaritjeve, kuqezinjtë kanë humbur një tjetër vend në krahasim me muajin janar, duke mbajtur tashmë vendin e 78-të në botë, një lëvizje prej 12 vendesh në krahasim me një vit më parë kur ishte në vendin e 66-të në këtë periudhë të vitit.
Duket e vështirë që për momentin, skuadra e drejtuar nga De Biazi të arrijë të rifitojë pozitën e 50-të, që ishte edhe rekordi historik i arritur në muajt prill dhe maj të vitit të kaluar, kur përfaqësuesja drejtohej nga Josip Kuzhe.
Përsa i përket skuadrave që janë kundërshtarët tanë në Grupin E të eliminatoreve të Botërorit 2014, Zvicra mban vendin e 16-të në botë, e ndjekur nga Norvegjia që mban vendin e 24-t dhe Sllovenia vendin e 27-të.
Islanda renditet poshtë përfaqësueses shqiptare, në vendin e 103-të, ashtu si Qipro që mban vendin e 127-të.
Renditja botërore vazhdon të kryesohet nga Spanja, ndërsa në vendin e dytë është ngjitur tashmë Gjermania. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 15 February 2012 15:03