Dy fitoret në miqësoret e muajit maj kanë ndihmuar kombëtaren shqiptare të futbollit të rifitojë disa vende në renditjen e FIFA-s dhe të ngjitet përsëri në vendin e 79-të në botë, 5 shkallë më shumë se një muaj më parë.
Suksesi 2-1 ndaj Katarit dhe sidomos fitorja 1-0 ndaj Iranit, kanë ndihmuar kuqezinjtë të bëjnë hapa të rëndësishëm në këtë renditje, e cila përveç prestigjit në arenën ndërkombëtare, ndihmon edhe në klasifikimin nëpër vazo të ekipeve kombëtare para një shorti.
Përsa i përket renditjes evropiane, kombëtarja kuqezi mban vendin e 36-të, duke lënë pas skuadra si Izraeli, Bullgaria apo edhe Maqedoninë fqinje.
Ndër skuadrat e grupit të eliminatoreve të Botërorit 2014 ku bën pjesë përfaqësuesja jonë, Zvicra është ajo që pozicionohet më mirë, në vendin e 21-të në botë, të 14 në Evropë. Norvegjia është e 26-ta, Sllovenia e 30-ta, Qipro e 125-ta dhe Islanda e 131-ta.
Duhet theksuar se të tre skuadrat kryesore të grupit kanë pësuar rënie në renditjen e këtij muaji.
Në kreun e renditjes Botërore vazhdon të jetë e shkëputur Spanja, ndërsa Uruguai ka arritur të marrë vendin e dytë në këtë renditje, duke lënë pas Gjermaninë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 June 2012 15:01