Kombëtarja shqiptare e futbollit ka fituar sot me rezultatin 2-1 me përfaqësuesen e Katarit në miqësoren e zhvilluar në stadiumin e Rajo Vajekanos në Madrid. Në këtë ndeshje, përfaqësuesja shqiptare ka luajtur me shirit të zi në krah, në shenjë respekti për viktimat e tragjedisë së Himarës.
De Biazi ka vendosur të hedhë në fushë një formacion eksperimental ku ka patur shumë të reja, duke filluar nga porta ku është aktivizuar Orges Shehi. Në mbrojtje, Dallku në të djathtë dhe Cana në qendër, kanë patur përkrah Mavrajn dhe Veliun, me këtë të fundit që ka luajtur i zhvendosur në krahun e majtë. Në mesfushë, Bulku dhe Lilaj janë vendosur para mbrojtjes ndërsa Bakaj dhe Vila kanë funksionuar si mbështetës nga krahët të dyshes së sulmit Bogdani-Çani.
Bogdani dhe Bakaj kanë qenë protagonistë në pjesën e parë pasi kanë krijuar dy raste të njëpasnjëshme para portës kundërshtare, por pa sukses. Gjithsesi, të dy futbollistët shlyejnë gabimin në fillimin e pjesës së dytë. Fillimisht është Bakaj që shënon që në minutën e parë pas kthimit në fushë, ndërsa vetëm 4 minuta më vonë është Bogdani që çon në 2-0 avantazhin për Shqipërinë pas ekzekutimit të një penalltie.
Në minutën e 63-të është edhe Katari që shënon në portën kuqezi, ndërsa më pas loja humb bukurinë e saj pasi të dy trajnerët mendojnë të aktivizojnë lojtarët që kanë në dispozicion duke parë gjendjen e tyre, e si rrjedhojë takimi mbyllet me fitoren 2-1 të kuqezinjve.
Kjo ishte ndeshja e dytë e përfaqësueses kuqezi nën drejtimin e Xhami De Biasit, ndërsa të parën e ka humbur 2-1 ne Tbilisi kundër Gjeorgjisë. Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një tjetër ndeshje me 27 maj në Stamboll, ku këtë radhë përballë do të ketë përfaqësuesen e Iranit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 22 May 2012 21:10