Kombëtarja shqiptare e futbollit ka bërë hapa të tjerë para në renditjen e FIFA-s, e cila u publikua sot. Kuqezinjtë e drejtuar nga italiani Xhani De Biasi, tashmë gjenden në vendin e 75-të në renditjen botërore, duke fituar katër pozicione në krahasim me një muaj më parë.
Përsa i përket skuadrave të tjera të grupit të eliminatoreve të Botërorit Brazil 2014, Zvicra ka ruajtur pozicionin e saj si e 21-ta në renditjen botërore, ndërsa Norvegjia është ngjitur në vendin e 24-t. Sllovenia ka pësuar një rënie prej katër pozicionesh, duke qenë tani në vendin e 34-t, Qipro është e 122-ta (+3) dhe Islanda është e 129-ta (+2).
Çuditë e klasifikimit të këtij muaji vijnë në majën e tabelës, ku Spanja ka ruajtur vendin e parë dhe Gjermania është ringjitur në vendin e dytë duke kaluar Uruguain. Ajo që ka bërë bujë në të vërtetë është pozicionimi në vend të katërt i përfaqësueses angleze të futbollit, e cila ka lënë pas Portugalinë gjysmëfinaliste të Euro 2012 ( e pesta, +5 pozicione) dhe Italinë finaliste (e gjashta, +6 pozicione).
Rënien më të ndjeshme mes ekipeve evropiane e ka pësuar Holanda, e cila është në vendin e 8-të, katër vende më poshtë se një muaj më parë për shkak të tre humbjeve radhazi të pësuara në Euro 2012.
Ndërkohë, regjistrohet për herë të parë në historinë e kësaj renditje rënia jashtë 10 vendeve të para të përfaqësueses braziliane, që tashmë mban vendin e 11-të në botë, e rrezikuar të kalohet edhe nga ekipe si Greqia e Rusia, ndërsa është kaluar nga Danimarka e Kroacia. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 July 2012 16:01