Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar se janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen Shqipëri-Serbi. Por, sipas mediave në Tiranë FSHF ka mashtruar tifozët pasi asnjë biletë nuk ka dalë në sportele
Më 8 tetor në “Elbasan Arena” do të luhet një ndeshje ku çdo shqiptar do të donte të kishte pak centimetra hapësirë në stadium, qoftë edhe pa pasur një vend të plotë për t’u ulur.
Kudo dhe kurdo gjatë kësaj periudhe flitet për këtë ndeshje, por temë e ditës është pamundësia e sportdashësve për të qenë në stadium.
Pakënaqësi të theksuara nga tifozët e Kombëtares, që e kanë të pamundur të sigurojnë një biletë për takimin kundër Serbisë, shkruan Panorama Sport.
Në FSHF, zyrtarisht është thënë se janë shitur të gjitha biletat. Kjo, e konfirmuar edhe dje nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku: “Është shitur çdo biletë. Interesimi ka qenë shumë i madh nga tifozët dhe nga institucionet shtetërore”.
Por, duke qenë se Federata Shqiptare e Futbollit ka shitur çdo biletë, atëherë kjo do të thotë se ka pasur një orar të caktuar në një nga ditët, në të cilën janë shitur këto bileta.
Megjithatë, kur përmendet kjo çështje, askush në federatë nuk di të thotë se në cilin sportel janë shitur 12700 biletat për ndeshjen Shqipëri-Serbi.
Askush nuk është në gjendje që të konfirmojë sportelin, orën dhe vendin, në të cilin janë shitur biletat për ata sportdashës që janë treguar të shkathët dhe të zotët për të siguruar një të tillë.
Friday, 25 September 2015 13:02