Futbollisti i Bajernit të Munihut, Bastian Shvajnshtaiger, është shprehur tejet i lumtur me punën që po e bën trajneri katalonas, Pep Guardiola dhe ka shprehur dëshirën që ai të qëndrojë sa më gjatë në bankinën e bavarezëve. “Gjithçka duket shumë mirë. Jemi fleksibil në fushë dhe kjo e bën të vështirë lojën për çdo skuadër që vjen përballë nesh. Kemi variacion dhe uroj që kombinimi Bajern-Guardiola të rezultojë i suksesshëm për shumë kohë”, ka theksuar mesfushori i Bajernit.
Shvajnshtaiger e shikon veten në një pozicion jo shumë të përshtatshëm për të këtë edicion, por gjithsesi ai ndjen se është përshtatur dhe nuk ka asnjë rezervë në drejtim të trajnerit. Ndryshe nga roli që ka pasur nën drejtimin e Hejnkesit, futbollisti 29-vjeçar ndodhet më i tërhequr në mesfushë, ndryshim që ai e konsideron të pranueshëm për të mirën e skuadrës. “Me këtë pozicion që më ka besuar Guardiola mund të integrohem më mirë, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje”, ka shtuar Shvajnshtaiger./RTK/
Monday, 23 September 2013 10:50