Viktoriano Arminio, presidenti i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve të kampionatit spanjoll, ka bërë të ditur se do të kërkojë zyrtarisht nga Federata Spanjolle ndëshkimin e mbrojtësit të Barcelonës, Xherard Pike. Ky i fundit, pas ndëshkimit me karton të kuq në sfidën kundër Gijon, shpërtheu në akuza kundër gjyqtarit të ndeshjes, Karlos Velasko Karbajo.
Sipas futbollistit, ndëshkimi me karton të kuq kishte qenë i paramenduar pasi ai kishte debatuar më parë me gjyqtarin në dhomat e zhveshjeve.
“Komentet e Pike janë shumë serioze. Ata të bëjnë të nxehesh pasi njerëzit e sportit duhet të respektojnë njëri-tjetrin. Komentet e tij ndikojnë direkt në gjykimin e ndeshjeve ndaj ne do të kërkojmë dënimin e tij”, tha Arminio për “Radio Nacional”.
Barcelona ka detyruar lojtarët dhe pjesëtarët e stafit që të mos komentojnë më për gjyqtarët, por zëdhënësi për shtyp i skuadrës, Toni Freiksa, nuk i ka rezistuar tundimit për të komentua ngjarjen në Twitter. “Çfarë skandali! Punë e shkëlqyer e këtyre profesionistëve të mëdhenj”, ishin fjalët e tij.
Në sezonet e fundit, si Pep Guardiola, ashtu edhe Zhoze Murinjo, janë ndëshkuar me një gjobë prej 1500 eurosh për shkak të komenteve të bëra kundër nivelit të gjyqtarëve në kampionatin spanjoll. (LajmeShqip.com)
Monday, 05 March 2012 10:22