Liverpuli po bëhet gati të hyjë në garë për të siguruar shërbimet e Uesli Shnajder, por duke i kërkuar këtij të fundit të ulë pretendimet që ka për rrogën.
Trajneri Brendan Roxhers është një admirues i futbollistit në fjalë, ndonëse ai nuk përputhet me politikën e klubit për të afruar lojtarë më të rinj në moshë (Shnajder është 28 vjeç) dhe për t’u ofruar rroga relativisht të ulëta në krahasim me të tjerët (te Interi përfiton 6 milion euro në vit).
Gallatasaraj është skuadra më pranë lojtarit, por ai nuk dëshiron që të transferohet që tani në Turqi, duke preferuar të vazhdojë në kampionatet elitare të Evropës edhe për 2-3 vite të tjera, mundësisht me një skuadër që synon trofe.
Interi është gati ta lërë të largohet, nëse dikush ofron 10 milion euro, akord të cilin e ka arritur me Gallatasarajin. Por edhe Liverpuli mund ta paguajë një shifër të tillë. Ajo që mban pezull për momentin gjithçka është rroga e futbollistit, që nuk dëshiron të ulet nga kuota që përfiton aktualisht në Itali.
Vetë futbollisti ka deklaruar se nuk do të marrë vendime të nxituara. “Merkato zgjat deri me 31 janar, ndaj nuk kam pse të ngutem”, ishin fjalët e tij për mediat italiane. (LajmeShqip.com)
Friday, 18 January 2013 16:09