Uesli Shnajder nuk ka ngurruar të shprehë kënaqësinë e tij për mënyrën se si Andrea Stramaçioni po ndërton Interin. Ai ka bërë një krahasim të teknikut të ri me Zhoze Murinjon, emrin që ktheu përsëri Interin në majat e futbollit evropian duke i dhënë këtij klubi përsëri një trofe shumë të lakmuar si Liga e Kampioneve.
“Pas Murinjos, ai është padyshim trajneri më i mirë. Nuk e them këtë sepse është trajneri aktual i skuadrës, por për mënyrën e lojës që propozon të luajmë dhe për entuziazmin që sjell brenda ekipit”, pranoi holandezi.
“Unë besoj se do të qëndroj te Interi edhe për faktin se ndjehem mirë këtu, do të ketë përforcime në merkato dhe tani kemi një trajner shumë të aftë në drejtim”, pranoi ai.
Një tjetër futbollist që i ka thurur elozhe trajnerit Stramaçoni ishte i riu Kutinjo, që e ka falënderuar për besimin që tekniku po i jep atij duke e aktivizuar me rregullsi si titullar në ndeshjet e para miqësore të sezonit.
“Po eci mirë falë besimit që më jep trajneri, nën drejtimin e tij gjërat po shkojnë më mirë”, pranoi braziliani që vitin e kaluar u dha në huazim në radhët e Espanjol në kampionatin spanjoll. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 July 2012 13:20