Shkodër – Dita e djeshme ishte kthyer në një festë për futbollin shkodran. Tre ekipe të Akademisë së Futbollit Vllaznia, ai U-15, U-17 dhe U-19, për kategorinë Superiore të futbollit shqiptar, janë shpallur kampionë të Shqipërisë.
Ceremonitë për dorëzimin e trofeve të vitit u zhvillua dje në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, aty ku u zhvilluan edhe tre ndeshjet e javës së fundit të kampionatit kombëtar për këto tre kategori moshash.
Në ndeshjen e parë, ekipit të Vllaznisë U-15, me trajner Alban Volumin, i ka mjaftuar një fitore me rezultatin 2 me 1 përballë ekipit Rozafa për t’u shpallur kampion të Shqipërisë.
Në 20 ndeshje, Vllaznia ka realizuar 20 fitore, me një golaverazh 95 me 13, çka përbën një bilanc tepër pozitiv, më i miri i të gjitha skuadrave shqiptare të kësaj moshe.
Në ceremoninë e mbylljes, të organizuar menjëherë pas ndeshjes, përgjegjësi i Zyrës Rajonale të FSHF-së për rajonin verior, Hysen Zmijani, i ka dorëzuar kupën e ekipit kampion kapitenit të skuadrës, Denis Dyca, i cili është shpallur edhe lojtari më i mirë i kampionatit. Ndërkohë, edhe trofeu i golashënuesit më të mirë të kampionatit i ka takuar Erand Qinarit të Vllaznisë.
Në ndeshjen e dytë, ajo për kategorinë e moshës U-17, ekipi i Akademisë Vllaznia, me trajner Entri Çaku dhe Nefail Zhejani, e kishin siguruar titullin kampion tre javë përpara përfundimit, ndërkohë që dje, duke mundur Laçin, me rezultatin 5 me 3, është shpallur zyrtarisht kampion i Shqipërisë, trofe që ia dorëzoi kapitenit të Vllaznisë, Taulant Nikshiqi, zëvendëspresidenti i FSHF-së, Bujar Kasmi, i shoqëruar nga përgjegjësi i kategorisë së parë në FSHF, Besnik Çela dhe inspektori Lysien Nyrishmi.
Pas 17 – vjeçarëve, në fushën e blertë janë shfaqur futbollistët 19-vjeçarë të Vllaznisë dhe të Laçit, ku edhe kjo ndeshje ka përfunduar me fitoren e Vllaznisë, këtë radhë me rezultatin 2 me 0, me autorë të golave, Tafën dhe Erkoçin, me penallti.
Menjëherë pas ndeshjes, është organizuar ceremonia e mbylljes, ku sërish kanë qenë përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët i kanë dorëzuar kapitenit të Vllaznisë, Bekim Erkoçi, kupën e kampionatit. Tre kupat e titullit kampion të fituara nga ekipet e Akademisë së Vllaznisë, përbëjnë sukses të merituar për klubin kuqeblu të Vllaznisë, i cili duke pasur një element kaq cilësor në gjirin e ekipeve të tyre, kanë një garanci të sigurt për të ardhmen.
Monday, 23 May 2011 06:43