Shkodër – Ada e Velipojës është skuadra kampione e Shqipërisë në futboll për femra. Suksesi i kësaj skuadre, i dyti radhazi në këtë sezon futbollistik pas trofeut të Kupës së Shqipërisë, të fituar dy muaj më parë, është fiksuar në javën e fundit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ku velipojaket mundën në takimin direkt rivalen kryesore, Kinostudion e Tiranës, me rezultatin 1 me 0.
Përpara fillimit të ndeshjes, presidenca velipojake kishte organizuar një program të pasur artistik me pjesëmarrjen e këngëtarëve të njohur shkodranë, Mukades Çanga, Bujar Qamili, etj. Ndërkohë, edhe pse skuadrës velipojake, të drejtuar nga çifti Fatmir dhe Hava Axhani, për të fituar titullin kampion i mjaftonte edhe barazimi, loja e tyre ka qenë gjatë të gjithë kohës vetëm sulmuese, deri sa nxori në dritë edhe golin e fitores, të shënuar në minutën e 72-të nga pika e bardhë e penalltisë me anë të Arlinda Grudës.
Goli i Grudës ka qëndruar në fuqi deri në vërshëllimën përfundimtare të arbitrit kryesor, moment i cili ka ndezur atmosferën në stadiumin “Adriatik” të Velipojës, ku u luajt takimi. Ceremonia e mbylljes së aktivitetit, ka qenë një tjetër moment gëzimi më vete, ku përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, në prani edhe të drejtuesve vendorë, nderuan ekipin kampion duke i dorëzuar medaljet dhe trofeun e Kupës së Kampionatit.
Monday, 30 May 2011 08:17