Emri i Erjon Bogdanit është gjithmonë ndër më të lakuarit sa herë që hapet merkatoja e futbollistëve. Sulmuesi 34 vjeçar, në sezonin e tij të 13-të në kampionatin italian, shihet shpesh nga skuadrat e vogla si një armë më shumë për të siguruar mbijetesën apo edhe për të synuar hapin cilësor. Futbollisti ka një kontratë që përfundon në fund të sezonit me skuadrën e Çezenës dhe kohët e fundit nuk ka gjetur shumë hapësira në formacion. Vetë drejtuesit e këtij ekipi kanë shprehur dëshirën të afrojnë sulmues të tjerë gjatë merkatos së janarit dhe janë të gatshëm të lënë të largohet “Er-Bomberin”.
Nuk kanë munguar ofertat e menjëhershme për lojtarin ku fillimisht Varese e së fundmi edhe Modena kanë shprehur publikisht dëshirën që ta kenë në radhët e tyre futbollistin të paktën deri në fundin e sezonit. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Bogdani do të pranojë një transferim në Serinë B, pasi ai ka bërë të qartë se në Itali dëshiron të luajë vetëm në elitën e futbollit. Pritet që gjatë merkatos së janarit ai të shohë të gjitha alternativat që ka në dispozicion de të vendosë nëse do të transferohet tani apo të presë fundin e sezonit kur do të jetë një lojtar i lirë.
Sunday, 25 December 2011 13:32