Kampionati ka përfunduar dhetani është koha e merkatos. Ndonjë tifoz e ka hedhur pas krahëve sezonin e fundit dhe ka nisur të ëndërrojë për atë të ardhshmin. Por, jo gjithmonë ajo që vjen nga merkato, nga emri i madh apo talenti premtues, mund të rezultojë më pas një ndihmë për ekipin.
Kampionati i fundit ka dhuruar goditje të mëdha si Ibrahimoviç apo Kavani, por ka pasur edhe dështime të papritura.
Kemi seleksionuar 11 (edhe pse lista është aq e gjatë, sa mund të plotësohen tre formacione) që pa dyshim drejtohen nga Rafa Benitez.
Porta nuk mund të mos mbrohet nga Eduardo i Genoas. Portieri i Portugalisë kaloi te kuqeblutë pas një paraqitjeje të mirë në botëror. Disa pritje të mira kanë ardhur, por gabimet e Eduardos ishin të shumta dhe të pafalshëm. Mbrojtja është e tëra bardhezi, një përzierje midis Juves dhe Cezenës, me pak filozofi greke.
Marko Mota (Juventus) ka qenë një nga blerjet e shumta të Marotës, që është shoqëruar gjatë ndeshjeve nga vërshëllimat e tifozëve, por nuk shkuan më mirë gjërat as për Bonuçin, i cili është ulur në stol pas kalimit në Torino të Barzaljit. I njëjti diskutim vlenë për francezin e Cezenës, Benaluan, që verën e kaluar ishte pranë Juves. Akoma më keq shkuan gjërat për grekun e Milanit, Papastathopulos.
Duhej të ishte alternativa e Nestës dhe e Tiago Silvës, por mund të rikthehet te Genoa. Në mesfushë portugezi i Genoas. Migel Velozo, që entuziazmoi tifozët para kampionatit, zhgënjeu shumë shpejt me paraqitjet e tij, edhe për shkak të dëmtimit.
Apiah (Cezena) shkoi për t’u ringritur dhe përfundoi në stol, dhe më pas në tribunë. Por, ka qenë pozicioni i mesfushorit të avancuar që ka dhuruar dështimet më të shumta. Simplisio kaloi nga Palermo te Roma, me kosto zero dhe ambicie të mëdha. Fusha tregoi se braziliani ishte me mbipeshë dhe jo në nivelin e duhur.
E njëjta gjë vlen edhe për “Princin” Soza të Napolit, i marrë nga Bayerni si zëvendësues i Lavecit. Ka kuptuar se nuk është akoma gati për futbollin italian. Më pas vjen Coutinho. Ndoshta ky rast nuk është një dështim, duke parë moshën, por në bazë të bujës së madhe për të, ishte normale të pritej diçka më shumë.
Në sulm, dështimi më i madh ka qenë Adriano, një bast mëse i humbur nga Roma e Sensit, me një aventurë që përfundoi që në dhjetor.
Këta janë 11 të dështuarit e merkatos së verës së kaluar, të drejtuar nga Rafa Benitez, që tek Interi ka arritur të prishë një skuadër perfekte, që kishte fituar dy tituj.
Monday, 06 June 2011 10:07