Serena Uilliams ka vazhduar të tregojë se nuk i frikësohet më ruses Maria Sharapova, të cilët e mund me rregullsi, ashtu siç bëri në finalen e WTA në Stamboll. Me suksesin e djeshëm, Uilliams ka arritur të fitojë 10 nga 12 takimet mes dy tenisteve, ndërsa arriti më në fund që të hakmerrej për humbjen e saj në vitin 2004 në finalen e të njëjtit turne, duke fituar këtë radhë me rezultatin 6-4,6-3.
8 vite më parë, amerikania u mund nga Sharapova edhe në finalen e Uimbëlldonit, por që atëherë, nuk i ka dhënë më mundësinë ruses të gëzojë në ndeshjet direkte. Edhe në takimin e djeshëm nuk kishte shumë histori, pasi ajo arriti të fitonte në 2 sete brenda një ore e gjysmë lojë, duke bërë të qartë se tani kërkon me ngulm që të arrijë sa më shpejt të renditet edhe një herë në vendin e parë të klasifikimit botëror.
Vitit 2012 ka qenë i shkëlqyer për Serena Uilliams, e cila ka arritur të fitojë 7 trofe të ndryshëm, pa harruar medaljet e arta në Lojërat Olimpike, ndërsa e mbylli sezonin në mënyrën perfekte me fitoren e tretë në turneun WTA. Sigurisht që gjithë këto suksese kanë sjellë edhe të ardhura të ndjeshme në llogarinë e saj bankare, pasi vetëm në turneun e fituar dje ajo ka arritur të fitojë 1.35 milionë euro. (LajmeShqip.com)
Monday, 29 October 2012 09:57