Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, ka deklaruar se futbolli mund të kthehet në “tragjedi” kur një ndeshje vendoset nga gjuajtjet e penalltive.
Shembulli i fundit ishte finalja e Ligës së Kampioneve mes Bajern Mynih dhe Çelsit, ku bavarezët dominuan në pjesën më të madhe të ndeshjes, por ishte skuadra angleze që fitoi me gjuajtjet nga pika e bardhë në finalen e të shtunës së kaluar.
Blater mendon se natyra e mirëfilltë e sportit të futbolli humbet kur një ndeshje vendoset nga penalltitë dhe për këtë arsye ai ka bërë të qartë se do të shihen alternativa për të ardhmen.
“Futbolli mund të kthehet në tragjedi ku gjuhen penalltitë. Futbolli nuk duhet të shkojë te pjesa ku luhet një kundër një, kur mbërrihet të gjuajtjet e penalltive, futbolli ka humbur esencën e vet”, tha ai për BBC.
“Ndoshta Franc Bekenbauer me grupin e tij të studimit të FIFA-s mund të na ofrojnë një zgjidhje, ndoshta jo që sot, por në një të ardhme të afërt”, deklaroi Blater.
Në një përpjekje për të bërë lojën më të “ndershme”, FIFA ka zyrtarizuar vendimin që në ndeshjen miqësore mes Anglisë dhe Belgjikës që luhet me 2 qershor në “Uembli”, ajo do të testojë teknologjinë e vijës së portës për të eliminuar mundësinë e “golit fantazmë”. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 May 2012 14:40