Klarens Sedorf ka bërë të qartë se Milani nuk e ka kontaktuar asnjëherë për t’i propozuar atij të zërë vendin e Masimiliano Alegrit në fund të këtij sezoni. Sipas mediave italiane, mesfushori holandez ishte emri i preferuar nga presidenti Berluskoni dhe ky i fundit ka kontaktuar me lojtarin e Botafogos për ta bindur të kthehet në Itali.
“Gjatë karrierës time janë thënë shumë gjëra. Nëse Milani do të më kishte thirrur do të ishte diçka krejtësisht ndryshe, por ata nuk kanë thirrur asnjëherë. Ky është vetëm spekulim, gjithçka është vetëm thashetheme”, deklaroi Sedorf.
Holandezi ka qenë protagonisti kryesor i sukseseve të skuadrës së tij që nga shtatori kur iu bashkua Botafogos, skuadër të cilën e udhëhoqi drejt titullit kampion në krahinën e Rios pas fitores 1-0 ndaj Fluminense.
“Çdo titull ka emocionet e veta, por kjo punë të rinon sa herë që fiton. Emocionet e këtij titulli ishin të njëjta me ato të çdo trofeu tjetër të fituar në karrierë. Ne e merituam plotësisht, kishim durimin dhe forcën për t’ia dalë mbanë. Kishte edhe momente të vështira por unë jam i lumtur që isha këtu”. (LajmeShqip.com)
Monday, 06 May 2013 19:46