Pas Elseid Hysajt, Schalke ka hedhur sytë drejt një tjetër shqiptari. Sinjalet e dërguara nga klubi nga Genselkirchen për mbrojtësin shkodran të kombëtares duket se janë ndalur përkohësisht në pritje për të mësuar të ardhmen e Draxler nga shitja e të cilit mund të arkëtojë miliona Euro. Gjithsesi, kërkimi i “minatorëve” në radhet e kuqezinjve nuk ndalet vetëm te Hysaj sepse në radarët e “Bluve Mbretërorë” është vënë edhe sulmuesi i Baselit, Shkëlqen Gashi.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat zviceriane që theksojnë se 26-vjeçari shihet si elementi ideal për të plotësuar boshllëqet në sulmin e skuadrës gjermane. “Fussballinfos” shkruan se oferta në adresë të zvicerianëve është 8 milionë Euro, por Baseli i ka bërë ballë duke e refuzuar përkohësisht.
Palët janë ende larg në qëndrime por gjatë ditëve të ardhshme mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për transferimin e bomberit shqiptar drejt Bundesligës ku do të bënte një tjetër hap cilësor në karrierën e tij. Gashi ka një kontratë që e lidh me Baselin deri në vitin 2018 dhe gjatë sezonit të shkuar ai fitoi edhe Këpucën e Artë të kampionatit zvicerian si golashënuesi më i mirë me 22 gola në kampionat.
Monday, 27 July 2015 20:39