Drejtuesit e skuadrës braziliane të Sao Paulos kanë hedhur poshtë një akord të mundshëm me PSZH për shitjen e mesfushorit Ganso. Futbollisti i kombëtares braziliane, i cili prej kohësh përflitet se do të kalojë në Evropë, mendohet se ka tërhequr vëmendjen e klubit parisien, por drejtori sportiv i skuadrës braziliane, Adalberto Batista, ka bërë të qartë se aktualisht as që u shkon ndër mend të heqin dorë nga një prej yjeve të kampionatit brazilian.
“Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Paris Sent Zhërmen, një marrëdhënie të mirë me Leonardon, por Sao Paulo nuk është e interesuar të lërë Ganso të largohet”, tha ai për “ESPN”.
Megjithatë, ia pranoi se një përjashtim mund të bëhej vetëm nëse vinte një ofertë e parefuzueshme, ndonëse beson se Ganso do të vazhdoj të qëndrojë te klubi ku u transferua një vit më parë.
“Sigurisht, kjo është ajo që thamë edhe për Luis Fabianon dhe lojtarë të tjerë gjithashtu. Nuk mund të them se nëse na vjen një ofertë e madhe ne do ta refuzojmë. Por kjo ofertë duhet të jetë e tillë që ne të mos jemi në gjendje ta refuzojmë. Megjithatë, me sinqeritet besoj se Ganso nuk dëshiron të largohet tani që ka filluat të kthehet në formën më të mirë”, tha ai për lojtarin që erdhi nga Santos. (LajmeShqip.com)
Thursday, 30 May 2013 09:34