Ish-mbrojtësi i kombëtares braziliane, Lucio, vetëm një ditë pasi prishi kontratën e tij me Juventusin, zyrtarizoi kalimin në radhët e Sao Paulo në kampionatin brazilian të futbollit, klub me të cilin ka nënshkruar kontratë për dy vitet e ardhshme.
34 vjeçari do të prezantohet sot para tifozëve në stadiumin “Morumbi” që i përket këtij ekipi, ndërsa kërkon të rregullojë karrierën e tij që muajt e fundit ka marrë shumë kthesa të papritura. Fillimisht ishte Interi që nuk e dëshiroi më dhe prishi kontratën me të, ndërsa më pas ishte Juventusi që e mori në gusht dhe e largoi pas vetëm pak muajsh, duke i dhënë mundësinë të luajë shumë pak ndeshje me fanellën e këtij ekipi.
“Një lojtar me një cilësi të tillë sigurisht që do të përmirësojë ekipin tonë për të marrë pjesë në turnetë ndërkombëtarë në të cilët do të përfaqësohemi në sezonin e ardhshëm”, u shpreh zëvendëspresidenti i klubit, Hesus Lopes, i cili pranoi se bisedimet kishin filluar që në qershor, kur lojtari kishte kuptuar se Interi dëshironte ta largonte.
Lucio ka fituar 15 trofe në 12 vitet e tij në Evropë, ku ka luajtur me skuadrat e Bajer Leverkusen, Bajern Mynih, Inter dhe Juventus. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 December 2012 10:50