Zëvendëspresidenti i Santos, Odilio Rodriguez, ka konfirmuar se ka filluar interesimi konkret i klubit brazilian për lojtarin e Çelsit, francezin Florent Malouda.
Futbollisti i përfaqësueses fracneze e pa veten jashtë planeve të klubit londinez kur drejtimin e tij e mori Andre Vijas Boas, ndërsa e njëjta gjë ndodhi edhe pasi Roberto Di Mateo u caktua trajner. Me blerjen e Marko Marin dhe Eden Hazard, hapësirat për Malouda do të jenë edhe më të vogla, ndaj janë vetë londinezët që kërkojnë ta largojnë atë duke tentuar të përfitojnë diçka nga shitja e futbollistit që ka edhe një vit të mbetur në kontratë.
“Ne kemi patur deri tani vetëm kontakte jozyrtare”, ishte konfirmimi i Rodrigues për “Lancenet”, ndërsa i njëjti burim lajmi ka bërë të ditur se Santos po kërkon edhe lojtarë të tjerë të njohur.
Përsa i përket Malouda, ai ishte përfolur si një përforcim i mundshëm i Vasko Da Gama, por situata ka ndryshuar kohët e fundit, pasi raportohet se ai është parë duke darkuar me presidentin e Santos, Luis Alvaro Ribeiro.
Kampionati brazilian është kthyer në një destinacion mjaft të preferuar jo vetëm të futbollistëve të njohur brazilianë në fundin e karrierës së tyre, por edhe lojtarëve evropianë, ku shembulli më konkret është ai i Klarens Sedorf që firmosi për Botafogon pak ditë më parë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 July 2012 08:40