Zhoel Santana duket se i ka idetë e qarta përsa i përket jetëgjatësisë së karrierës së tij si trajner i Flamengos: duhet të bëjë maksimumin për të kënaqur Ronaldinjon. Tekniku i sapoemëruar në stolin e kësaj skuadre, ka deklaruar se fantazisti do të ketë liri të plotë të veprojë në cilindo cep të fushës që zgjedh.
“Ronaldinjo është ylli skuadrës, idhulli i tifozerisë dhe fiton ndeshjet për ne. Ai është i talentuar dhe e di si luhet, cilësia e lojës së tij është e jashtëzakonshme”.
“Kur t’i blen diçka të rrallë, mundohesh ta vësh në vendin më të mirë në shtëpinë tënde. Prandaj them se Ronaldinjo do të luajë aty ku ai ndihet më mirë”.
“Nëse ai dëshiron të luajë majtas, unë do ta vendos aty, nëse ai zgjedh të djathtën, ai do të shkojë në atë sektor të fushës. I pëlqen të luajë në mes? Atëherë do të luajë në mes”, deklaroi Santana në ditën e prezantimit të tij.
Me këtë deklaratë, Santana lëshoi sinjale se nuk do të vepronte si paraardhësi i tij Luksemburgo, i cili u zu me Ronaldinjon dhe ky ishte shkaku kryesor pse u shkarkua nga detyra. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 February 2012 12:01