San Antonio ka treguar forcën kundër Oklahomas, duke fituar 120-111 dhe marrë kryesimin 2-0 në serinë e finaleve të Konferencës së Perëndimit. Teksanët bëhen njëkohësisht ekipi i parë që arrin 20 fitore radhazi në këtë pikë të sezonit.
Tre “veteranët” e San Antonio ishin vendimtarë me lojën e tyre, duke filluar nga Toni Parker që shënoi 34 pikë e 8 pasime. Xhonibili shënoi 20 pikë, ndërsa Dankan shtoi 11 pikë, 12 topa në tabelë, 6 pasime dhe 4 bllokime, duke treguar se këta lojtarë duan një tjetër sukses në karrierën e tyre për të konfirmuar vazhdimin e një cikli fitues të nisur disa vite më parë.
Oklahoma mund të ngushëllohet me faktin se arriti të vinte në vështirësi San Antonion në periodën e katërt të ndeshjes, duke dhënë shenja se në fushën e saj, pas dy ditësh, mund të tentojë mrekullinë ndaj teksanëve, të cilët për momentin duken të pakalueshëm.
Kevin Durant (31 pikë), Rasëll Uestbruk (27 pikë) dhe Xhejms Harden (30 pikë) u shfaqën në një formë të mirë dhe arritën të konkurronin denjësisht me rivalët e tyre duke i krijuar probleme ekipit të Popoviç, pasi për disa minuta arritën t’i kundërpërgjigjeshin pikë për pikë “veteranëve” të teksanëve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 30 May 2012 08:03