Arjen Roben nuk do të largohet nga Bajern Mynih gjatë merkatos së verës. Ky është premtimi i drejtorit teknik të kësaj skuadre, Matias Samer. Futbollisti holandez ishte protagonist i suksesit në këtë edicion të Ligës së Kampioneve, duke shënuar golin e fitores 2-1 përballë Borusia Dortmund.
“E vërteta është se ai ka një kontratë edhe për dy sezonet e ardhshme me ne, ndaj edhe në sezonin ardhshëm do të jetë këtu. Kam lexuar shumë gjëra pakuptim rreth tij. Për Arjen nuk ka pasur aq shumë mirënjohje sa për lojtarët e tjerë krijues në skuadër si Riberi”.
“Për karrierën e tij, fitorja në Ligën e Kampioneve ishte shumë e rëndësishme, unë e di këtë nga eksperienca personale. Bavarezët i detyrohen Arjen Roben për fitoren e Ligës së Kampioneve”, ishte komenti i Samer, duke bërë të qartë se futbollisti do të ishte pjesë e rëndësishme e projektit të radhës në drejtimin e Pep Guardiolës.
“Mbi çdo skuadër të madhe ka trysni dhe sigurisht që Bajern nuk përbën ndryshim. Ne kemi fituar gjithçka nëse por duam të vazhdojmë të jemi në elitën e skuadrave evropiane, në duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të uritur”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 12 June 2013 23:05