Shefi ekzekutiv i Bajern Mynih, Matias Samer, pretendon se Mario Gëtze ka refuzuar oferta shumë më të rëndësishme vetëm falë dëshirës për t’u bashkuar me Bajern Mynih në sezonin e ardhshëm. Lojtari do të kalojë te bavarezët, të cilët do të paguajnë klauzolën e tij të largimit prej 37 milion eurosh për të marrë 20 vjeçarin nga radhët e Borusia Dortmund.
“Duhet të jeni të ndërgjegjshëm që Mario Gëtze ka pasur oferta të tjera të pabesueshme. Ato oferta ishin me të vërtetë të çmendura!”, tha ai.
Samer zbuloi se informacioni që doli në shtyp nuk kishte qenë nga burime të klubit të tij, pasi ata nuk do të kishin preferuar që kjo çështje të shpërqendronte skuadrat para ndeshjeve të Ligës së Kampioneve.
“Sigurisht, publikimi i këtij transferimi nuk ka qenë në momentin ideal. Ne dëshironim të bënim gjithçka publike pas përfundimit të ndeshjeve gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Nuk kemi komunikuar ende me Borusia Dortmund rreth këtij transferimi. Po përse duhet ta bëjmë një gjë të tillë? Mario Gëtze ka një klauzolë largimi në kontratë dhe kërkon ta shfrytëzojë atë”, bëri të qartë drejtuesi i bavarezëve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 25 April 2013 10:21