E ardhmja e Hamdi Salihit është kthyer në një rebus të vërtetë që pret zgjidhje brenda 31 janarit.
Nga njëra anë është vetë sulmuesi shqiptar që deklaron në media se do të qëndrojë te Rapidi i Vjenës dhe të shpallet kampion me këtë skuadër. Nga ana tjetër, në një intervistë të publikuar sot te gazeta britanike “The Sun”, ai shprehet se është gati të lëvizë drejt Rejnxhërs Gllasgou.
“Kam folur në telefon me Jelaviç (ish-shoku i skuadrës te Rapid) dhe ai më ka treguar sa klub i madh është. Ndaj do të më pëlqente shumë të transferohesha në Gllasgou. Rejnxhërs është një klub i madh dhe do të ishte një mundësi e madhe për mua, një hap i rëndësishëm për karrierën”, janë fjalët e Salihit të riprodhuara në gazetën më të madhe angleze.
Por kjo deklaratë është hedhur poshtë gjatë ditës nga vetë futbollisti shqiptar në mediat austriake. “Do të pres shansin tim te Rapidi dhe do ta shfrytëzoj atë. Me Jelaviç flas shpesh sepse jemi shokë, por asnjëherë nuk e kam telefonuar për transferimin te Rejnxhërs. Menaxheri më thotë që ka interesim nga klubet skoceze, por nuk kam marrë asnjë ofertë”, tregon sulmuesi.
Ndërkohë, ka rënë poshtë hipoteza Eintraht Frankfurt, pasi vetë drejtuesit e skuadrës nuk e preferojnë atë. “Ai ka një finish shumë të mirë por nuk di të punojë me topin. Në perspektivë, nuk do të na ndihmonte ndaj e kemi lënë si opsion”, ishte deklarata e drejtorit sportiv të ekipit gjerman, Bruno Hubner.
Ky zhvillim i fundit ka bërë që të gjithë të shohin me skepticizëm situatën dhe sipas hipotezave të fundit, për lojtarin ka vetëm admirues, por jo blerës të gatshëm të shpenzojnë 500 mijë eurot e kartonit të tij. Për këtë arsye, në media është përmendur fakti se Salihi është lënë i lirë të mos marrë pjesë në kampin stërvitor në Portugali për të kërkuar një blerës, ndërsa menaxheri i tij ka udhëtuar drejt Kuvajtit për t’u interesuar atje.
Nëse asnjë nga alternativat nuk do të jetë e vlefshme, futbollist shqiptar do të qëndrojë te Rapid deri në fundin e sezonit, për t’u larguar më pas si futbollist i lirë. (LajmeShqip.com)
Friday, 27 January 2012 18:26