Sulmuesi shqiptar Hamdi Salihi, ka pranuar se mundësia e transferimit te skocezët e Sëlltik Gllasgou, do to ishte një hap shumë i rëndësishëm i karrierës së tij.
Duke folur për mediat austriake, Salihi ka pranuar se mund të largohet drejt skocezëve, por duhet që më parë të gjitha palët të bien dakord.
“Sëlltiku është një klub me një emër të madh, ky mund të jetë hapi i rëndësishëm i karrierës time. Por dua të them se nuk di asgjë konkrete rreth lëvizjes. Marrëveshja duhet të jete e përshtatshme për të gjitha palët, përfshirë edhe Rapidin”, deklaroi sulmuesi shqiptar për mediat austriake.
Ndërkohë, edhe drejtori sportiv i Rapidit, Stefan Ebner, deklaroi se nuk kishte marrë asnjë ofertë nga kryesuesit e kampionatit skocez. “Për mua mbetet ende një thashethem pasi nuk kemi patur asnjë kontakt me Sëlltik”, u shpreh ai.
Një ditë më parë, ishte vetë trajneri i Sëlltik, Nill Lenon, që bëri të ditur për interesimin e këtij klubi rreth sulmuesit shqiptar. Meqenëse Salihit i përfundon kontrata në qershor, Rapidi mund të vendosë ta shesë për një shifër më të ulët dhe mediat austriake raportojnë që kjo shifër është rreth 500 mijë euro. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 January 2012 19:06