Ka bërë bujë në mediat austriake fakti që stafi teknik i Rapidit të Vjenës ka vendosur të lërë në stërvitje me skuadrën e rezervave sulmuesin Hamdi Salihi, duke mos e marrë për fazën përgatitore në Portugali.
Vetë lojtari ka shpjeguar se zërat në media rreth një largimi të mundshëm nuk kanë dalë prej tij dhe se ai donte të respektonte kontratën me klubin austriak.
“Nuk kam thënë asnjëherë se dua të largohem nga klubi apo të shkoj në ndonjë klub tjetër. Po e them tani qartë për të gjithë: jam një lojtar i Rapidit dhe stërvitem çdo ditë me skuadrën e Rapidit. Unë dua të fitoj kampionatin me këtë ekip”, ishin fjalët e sulmuesit shqiptar.
Vetë trajneri i kësaj skuadre, Peter Shëtel, ka shpjeguar se çështja “Salihi” është shumë delikate, duke parë interesimin e disa klubeve për blerjen e tij.
“Kam folur me të dhe i kam thënë që në pranverë do të jetë njëlloj sikur të kemi filluar nga shtatori, por të presim fundin e merkatos”.
“Mund të them se nuk ka qenë lojtari që ka rezultuar më vendimtar për ne. Në ndeshjet ku ka luajtur ai nuk është se ka shënuar dhe na ka ndihmuar të fitojmë. Ai i ka patur të gjitha mundësitë të tregojë aftësitë e tij, por e ka humbur shansin që i është dhënë deri tani”, deklaroi trajneri i cili pranoi se Salihi mbetej sulmuesi më i mirë që kishte në skuadër, thjesht nuk përputhej me skemën që ai kërkonte të aplikohej.
Shëtel ka treguar se për futbollistin shqiptar interesohen Sëlltik, Reinxhërs dhe Gençlerbirligi, ndërsa mediat austriake kanë shtuar në këtë listë edhe interesimin e orëve të fundit të Eintrahtit të Frankfurtit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 January 2012 16:42