Të luash me kombëtaren e Brazilit nuk është edhe aq e vështirë sa mendohet, mjafton t’u paguash para personave të duhur. Këtë fakt e ka pranuar Luciano Bivar, presidenti i Sport Klub Do Recife, i cili ka zbuluar se si ka paguar para për të dërguar një futbollistin e klubit të tij në kombëtare, ndërsa mendon se diçka e tillë është krejtësisht normale.
Ai ka zbuluar se ka arritur të grumbullojë Leomar me kombëtaren e Brazilit për Kupën e Konfederatave në vitin 2001, nëpërmjet pagesës që i ka bërë një ndërmjetësi.
“Unë dërgova një futbollist në kombëtare duke paguar ryshfet. Kjo ishte në kohën kur luante Leomar. Nuk do të them emrin e atij që mori paratë por ju duhet të bëni investigimet tuaja nëse doni ta gjeni”, u tha ai gazetarëve.
“Çdokush kërkon që lojtarët e vet të përfundojnë në kombëtare. Pyeteni Skolarin se sa ndërmjetës e kanë telefonuar duke i kërkuar që të thërrasë dikë në kombëtare. Ky është realiteti i futbollit brazilian. Me Leomar unë pagova një ndërmjetës”, shpjegoi ai.
Këto deklarata u hodhën poshtë nga Emerson Leao, i cili në atë periudhë ishte trajneri i kombëtares së Brazilit, duke pretenduar se Leomar ishte thirrur me meritë në përfaqësuese.
“Nuk kam asgjë për të fshehur. Unë jam i shqetësuar që një person i respektueshëm si presidenti i Recife bën deklarata të tilla. Nëse ato vërtetohen, personat duhet të shkojnë në burg, ai që pagoi dhe ai që mori paratë. Leomar në atë periudhë u thirr në kombëtare sepse e meritonte dhe sepse Federata kishte venë kusht që të mos merrej në aktivitet asnjë lojtar që luante jashtë Brazilit”, shpjegoi ish-trajneri i Brazilit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 March 2013 14:26