Federata Ruse e Futbollit është përfshirë në kaos për shkak të emrit të zëvendësuesit të Dik Advokat që braktisi këtë kombëtare pas përfundimit të Euro 2012. Meqenëse në media kanë dalë emra të shumtë trajnerësh, drejtuesit kanë vendosur që nesër të qartësojnë gjithçka duke bërë publike një listë me emrat e personave që po negocoijnë me ta.
Në njoftimin e shfaqur në faqen e internetit të kësaj federate, është bërë e qartë se nuk ka ende asnjë akord apo marrëveshje të nënshkruar me trajnerin e ardhshëm, të cilit pritet t’i besohet një projekt 6 vjeçar.
Rusia do të organizojë Botërorin 2018 dhe për këtë arsye, rusët synojnë që në vitet e ardhshme të punohet për një kombëtare që të përfaqësojë denjësisht e pse jo, të pretendojë për të fituar këtë eveniment.
Sipas mediave ruse, emra e përzgjedhur janë shumë prestigjiozë, duke filluar nga treshja italiane Kapelo-Spaleti-Mançini, për të vazhduar me Pep Guardiolën. Deri tani, të vetmit që kanë pranuar publikisht interesimin për pankinën e Rusisë janë Kapelo dhe Spaleti.
Ndërkohë, presidenti i Spartak Moskës, Leonid Fedun, është gati të paguajë rrogën e Guardiolës ose Mançinit, nëse ata do të jenë të përzgjedhur për të drejtuar kombëtaren ruse në 6 vitet e ardhshme. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 July 2012 14:12