Rusia është kthyer në një nga kampionatet që po punëson shumë nga trajnerët e njohur, në kërkim të lavdisë, por edhe të parave që aktualisht janë në gjendje të paguajnë klubet ruse.
Këtë sezon, i pari që ka firmosur për një skuadër ruse ishte Unai Emeri, i cili braktisi një skuadër mjaft të fortë si Valencia për t’u drejtuar në Lindje. Ai ka marrë drejtimin e Spartak Moskës, duke zëvendësuar ish-futbollistin rus Valeri Karpin që drejtonte prej 3 vitesh këtë skuadër.
Lajmi qarkullonte prej disa ditësh në ambientet futbollistike evropiane, pasi trajneri i ri deklaroi largimin e tij nga klubi spanjoll. Po zyrtarizmi është bërë vetëm sot nga presidenti i klubit rus, Leonid Fedun. Me Spartak Moskën, trajneri spanjoll do të ketë mundësinë të luajë në Ligën e Kampioneve, ndërsa do të synojë të thyejë hegjemoninë e viteve të fundit të Zenitit në kampionatin rus.
Një tjetër trajner që ka marrë rrugën e Rusisë është Slaven Biliç, tekniku aktual i Kroacisë. Ai deklaroi dy ditë më parë se pas Euro 2012 do të largohej nga kjo përfaqësuese, por pritej që të kalonte në një ekip perëndimor.
Por sot është zyrtarizuar nënshkrimi i kontratës trevjeçare me Lokomotiv Moskën në kampionatin rus. Zgjedhja e tij duket e çuditshme duke parë edhe vështirësitë që ka kaluar ky klub në sezonin e fundit, duke e përfunduar kampionatin në vendin e 7-të dhe jashtë Kupave të Evropës. (LajmeShqip.com)
Monday, 14 May 2012 18:34