Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, ka deklaruar se Rusia, e cila pret Botërorin në vitin 2018, është aktualisht më e përgatitur se Brazili për një eveniment të tillë, ndonëse vendi i Amerikës Latine do ta organizojë atë në vitin 2014.
“Mund të them se jemi shumë, shumë, shumë të avancuar në Rusi. Unë mund të them se kemi më shumë probleme në Brazil se këtu”, ishin fjalët e Blater në një konferencë për shtyp.
Sipas tij, vendi latino-amerikan ka probleme me transportin, aeroportet dhe rrugët. Megjithatë, në mënyrë të çuditshme, pak më vonë Blater doli në një tjetër konferencë për shtyp dhe vlerësoi punën që po bëhej në Brazil.
“Sapo mora një raport mjaft inkurajues nga Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke, pas vizitës së tij në Brazil. Në këtë kontekst, dua të theksoj se ne jemi të bindur se Brazili do të organizojë një Kampionat Botëror fantastik. Me atë që thashë më përpara për Rusinë dhe u keqinterpretua, desha thjesht të tregoja se gjërat në Rusi kanë ecur shumë përpara”, ishte deklarata e çuditshme e Blater. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 January 2012 12:23