Ylli i Mançester Junajtid, Uejn Runi, insiston se triumfi përballë Mançester Sitit do ta bënte titullin kampion më të ëmbël.
Runi ka fituar katër tituj kampion me fanellën e “djajve të kuq”, duke mundur rivalitetin e skuadrave të Arsenalit, Çelsit dhe Liverpulit, për të ngirutur lart trofeun në vitet 2007, 2008, 2009 dhe 2011.
Por këtë vit, ekipi i tij gjendet 2 pikë pas Mançester Sitit dhe gara “brenda qytetit” duket se do të dhurojë një entuziazëm të rrallë për cilëndo skuadër që triumfon.
“E imagjinoj që do të jetë e tillë. Nuk dua të flas para kohe, por nëse fitojmë dhe parakalojmë Sitin, jam i sigurt se do të ishte një kryevepër”.
Futbollisti 26 vjeçar mund të ndjejë që tani atmosferën në qytetin e Mançester, falë rivalitetit historik të dy skuadrave.
“E ndjen menjëherë entuziazmin në qytet mes lojtarëve dhe tifozëve. Kjo është një atmosferë fantastike, kjo është koha kur ti ëndërron të luash futboll, të jesh në një garë për titull kaq entuziazmuese. Do të jenë 11 ndeshje shumë të vështira për të dy skuadrat deri në fundin e sezonit”, ishte parashikimi i Runit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 10 March 2012 16:56